Rruga, e Vërteta dhe Jeta
Truth FM Albania shpall mesazhin e Ungjillit të Jezu Krishtit, duke ftuar çdo dëgjues të njohë shpresën, të vërtetën dhe jetën që gjendet vetëm në Të.
Jezusi tha:
“Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë. Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt, duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit dhe të Frymës së Shenjtë, dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës.”
Përmes transmetimeve tona, synojmë të ndajmë Fjalën e Perëndisë, të forcojmë besimin dhe të inkurajojmë zemrat me të vërtetën e përjetshme të Krishtit.
Rënia në mëkat: Gjarpri, mëkati dhe dëbimi nga Edeni
Zanafilla 3:1
"Por gjarpri ishte më dinaku ndër të gjitha bishat e fushave që Zoti Perëndi kishte krijuar. Dhe i tha gruas: 'A ka thënë me të vërtetë Perëndia: Mos hani nga të gjithë pemët e kopshtit?'"
Zanafilla 3:6
"Dhe gruaja pa që pema ishte e mirë për t'u ngrënë, që ishte e këndshme për sytë dhe që pema ishte e dëshirueshme për ta bërë të zgjuar dikë; dhe ajo mori nga fruti i saj e hëngri, dhe i dha edhe burrit të saj që ishte me të, dhe hëngri edhe ai."
Zanafilla 3:15
Vargu 15 është vargu ku ne dëgjojmë ungjillin për herë të parë, nevojën për shpëtim:
"Dhe unë do të shtie armiqësi midis teje dhe gruas, midis farës sate dhe farës së saj; fara e saj do të shtypë kokën tënde dhe ti do të plagosësh thembrën e farës së saj."
Nëse Zanafilla 1 dhe 2 na tregoi botën ashtu siç e deshi Perëndia, Zanafilla 3 na shpjegon botën ashtu siç e njohim ne: me dhimbje, me turp, me vdekje. Ky është kapitulli që i përgjigjet pyetjes së madhe: Çfarë shkoi keq?
Por në zemër të kapitullit më të errët qëndron edhe premtimi i parë i shpresës — vargu që shumë teologë e quajnë "Ungjilli i Parë" (Protevangelium).
Kush është gjarpri?
Kush është ky gjarpër që flet? Zanafilla nuk na e shpjegon menjëherë. Na thotë vetëm se ishte më dinaku ndër të gjitha bishat. Por pjesa tjetër e Shkrimit e heq velin.
Zbulesa 12:9 e identifikon qartë si: "gjarpri i lashtë, që ishte quajtur djall edhe satan, që mashtron të gjithë dheun."
Pra, pas krijesës qëndronte një armik i vjetër, një engjëll i rënë që kishte zgjedhur rebelimin para se njeriu të ekzistonte. Nëse shikojmë Isaian 14 dhe Ezekielin 28, ato flasin edhe më me shumë detaje për këtë.
Bibla nuk na jep çdo detaj për origjinën e së keqes, por na jep atë që na duhet: E keqja nuk është e përjetshme si Perëndia. Nuk është krijuar nga Perëndia dhe nuk do të ketë fjalën e fundit.
Në botën e lashtë të Lindjes së Afërt, gjarpri ishte simbol i mençurisë së fshehtë, i magjisë dhe i jetës së përjetshme. Faraonët mbanin kobrën në kurorë si shenjë pushteti hyjnor. Për lexuesit e parë izraelitë, mesazhi ishte therës: ajo që kombet e adhuronin si burim mençurie, ishte në të vërtetë burimi i mashtrimit.
Dhe po të vëmë re me më shumë kujdes, tundimi nuk erdhi nga jashtë kopshtit, por brenda tij, në vendin më të mirë, në rrethanat më të përsosura. Askush nuk ishte aq i sigurt sa të mos tundohej, dhe asnjë vend nuk është aq i shenjtë sa të mos hyjë tundimi.
Vlen të theksohet se, edhe pse ky kapitull është kaq themelor nga ana doktrinale, pa Zanafillën 3 pjesa tjetër e Biblës nuk ka kuptim:
Pse duhen sakrificat?
Pse duhet Shpëtimtari?
Pse vdesin njerëzit?
Bota moderne përpiqet ta shpjegojë të keqen si mungesë edukimi, si problem shoqëror apo si fazë evolucioni. Çdo shpjegim mbetet i mangët sepse problemi nuk është vetëm rreth nesh, por brenda nesh (Jeremia 17:9). Zanafilla 3 e vendos diagnozën saktë: njeriu nuk është i sëmurë thjesht nga padija, por i rënë nga rebelimi. Dhe vetëm diagnoza e saktë çon te ilaçi i saj.
Anatomia: Strategjia e gjarprit
Strategjia e gjarprit është një kurs i plotë në artin e mashtrimit dhe nuk ka ndryshuar që atëherë.
Hapi i parë: Dyshimi. "A ka thënë me të vërtetë Perëndia...?" Jo një mohim i hapur, por një pikëpamje e hedhur mbi fjalën. Vini re edhe shtrembërimin: Perëndia kishte thënë se nga çdo pemë mund të hash lirisht, përveç njërës. Gjarpri e kthen në: "Mos hani nga të gjitha pemët?" Bujaria e Perëndisë paraqitet si koprraci.
Hapi i dytë: Mohimi. "Ju s'keni për të vdekur aspak." Tani sulmi është i drejtpërdrejtë: Perëndia gënjen.
Hapi i tretë: Premtimi i rremë. "Do të jeni në gjendje si Perëndia." Mëkati shitet gjithmonë si fitim, si liri, si ngritje në detyrë apo si diçka tjetër e favorshme. Askush nuk tundohet nga e keqja e paraqitur si e keqe. Tundimi funksionon vetëm kur e keqja vishet si e mirë.
Vargjet 6 dhe 7: Rënia dhe pasojat e saj
Vargu 6 e përshkruan rënien me katër folje të shpejta: pa, mori, hëngri, i dha.
Mëkati hyn nga sytë ("pa që pema ishte e mirë"), kalon te dëshira ("e dëshirueshme për ta bërë të zgjuar") dhe përfundon në veprim. Gjoni do ta përmbledhë të njëjtin model shekuj më vonë: lakmia e mishit, lakmia e syve dhe krenaria e jetës (1 Gjonit 2:16).
Dhe Adami? Teksti thotë se ishte me të, i pranishëm dhe i heshtur. Rënia nuk ishte vetëm mëkati i gruas që hëngri, por edhe i burrit që heshti kur duhej të fliste.
Pasoja e parë erdhi menjëherë: "Atëherë iu hapën sytë të dyve dhe panë që ishin lakuriq." Gjarpri e mbajti fjalën teknikisht — sytë u hapën vërtet — por ajo që panë nuk ishte lavdia e premtuar, ishte turpi i tyre. Mëkati gjithmonë premton ndriçim, por dorëzon turp.
Gjethet e fikut janë përpjekja e parë e njerëzimit për vetë-shpëtim: të mbulojmë me duart tona atë që kemi prishur me duart tona. Nuk funksionoi atëherë, dhe nuk funksionon as sot.
Pyetja e parë e Perëndisë: "Ku je?"
Perëndia pyet, dhe kjo është fjala e parë e Perëndisë pas rënies: "Ku je?"
Tani kemi një nga skenat më prekëse të të gjithë Biblës: njeriu fshihet nga Perëndia mes pemëve, dhe Perëndia vjen duke e thirrur: "Ku je?" Kjo nuk është pyetja e një gjykatësi që nuk di ku ndodhet i akuzuari. Perëndia i gjithëditur e dinte saktësisht ku ishte Adami. Është pyetja e një eti që i jep fëmijës mundësinë të dalë vetë në dritë.
Fjala e parë e Perëndisë pas rënies nuk është mallkim, është kërkim. Që nga ai çast, e gjithë Bibla është historia e Perëndisë që kërkon njeriun e fshehur, derisa "Biri i njeriut erdhi të kërkojë dhe të shpëtojë atë që kishte humbur" (Luka 19:10).
Përgjigjja e Adamit hap zinxhirin e fajësimit:
"Gruaja që ti më vure pranë më dha nga pema."
Me një gur vret dy zogj: fajin e ka gruaja, dhe në fund të fundit, fajin e ke Ti që ma dhe! Gruaja ia kalon gjarprit: "Gjarpri më mashtroi." Askush nuk thotë thjesht: "Po, mëkatova." Rrëfimi i parë i vërtetë në Bibël do të presë ende, por modeli i fajësimit ka mbetur i gjallë në çdo zemër njerëzore që atëherë.
Vargjet 14 deri në 19: Gykimi dhe pasojat
Gjykimi zbret sipas radhës së mëkatit: gjarpri, gruaja, burri.
Gjarpri mallkohet të zvarritet dhe të hajë pluhur — përulje e përjetshme para krijesës që mashtroi.
Gruas i shtohen dhimbjet e lindjes dhe tensioni në marrëdhënien me burrin. Pikërisht aty ku ajo ishte krijuar për bekim (jeta dhe bashkësia), aty hyn dhimbja.
Burrit i mallkohet toka. Puna, që ishte dinjitet në kapitullin 2, tani do të bëhet mundim me djersë, gjëmba dhe ferra, derisa trupi të kthehet në pluhurin nga i cili u mor. Vdekja — paralajmërimi i Perëndisë te kapitulli 2:17 — tani është realitet i pashmangshëm.
Vini re, megjithatë, se çfarë nuk mallkohet: as burri, as gruaja nuk mallkohen drejtpërdrejt. Mallkohet gjarpri dhe toka. Edhe në gjykim, Perëndia po e ruan njeriun për shpresë.
Ungjilli i Parë (Zanafilla 3:15)
Pikërisht në mes të gjykimit shpërthen premtimi. Perëndia i thotë gjarprit se nga fara e gruas do të vijë dikush që do të shtypë kokën e tij, edhe pse vetë do të plagoset në thembër.
Ky varg quhet nga teologët "Ungjilli i parë" (Protoevangelium). Është premtimi i parë i shpëtimit dhe zbulimi gradual i kësaj fare:
Fara e Abrahamit;
Fisi i Judës;
Shtëpia e Davidit;
Deri te i linduri prej një gruaje (Galatasve 4:4).
Vargjet 20 deri në 24: Hir në gjykim
Kapitulli mbyllet me tre veprime që flasin më shumë se mijëra fjalë:
Së pari, Adami e quan gruan e tij "Eva" (nëna e të gjithë të gjallëve) — një akt besimi në premtimin e jetës në çastin kur sapo ishte shpallur vdekja.
Së dyti, Perëndia u bën veshje prej lëkure. Këtu, për herë të parë në histori, derdhet gjak. Një kafshë e pafajshme vdes që mëkatari të mbulhet. I gjithë sistemi i sakrificave dhe, në fund, vetë kryqi janë të mbjella në këtë varg të heshtur.
Së treti, dëbimi nga kopshti. Në pamje të parë duket dënim, por arsyeja ishte hiri: që njeriu të mos shtrinte dorën e të hante nga pema e jetës e të jetonte përjetësisht në gjendjen e tij të mëkatit. Të jetosh përjetësisht në mëkat do të ishte ferri i përjetshëm. Dëbimi ishte mëshirë; Perëndia e mbylli rrugën drejt pemës së jetës që një ditë ta rihapte përmes Krishtit.
Fjalë kyçe nga kapitulli
Dinak (vargu 1): Në gjuhën origjinale, fjala "dinak" (arum) tingëllon pothuajse njësoj si fjala "lakuriq" (arom) e vargut paraardhës (2:25). Një lojë e qëllimshme fjalësh: njeriu ishte i zhveshur dhe pa mbrojtje, ndërsa gjarpri ishte i mbuluar me dinakëri. Fjala vetë nuk është e keqe; te Fjalët e Urta përkthehet "i matur", por këtu mençuria është shtrembëruar në armë.
Fara (vargu 15): Fjala origjinale për "farë" apo "pasardhës" (zera) është në njëjës, jo në shumës (fara e saj, jo farat e saj). Pali e vë në dukje këtë hollësi te Galatasve 3:16. Premtimi nuk u drejtohej shumë pasardhësve, por Njëri. Që tek Zanafilla 3, gishti i profecisë tregon drejt një personi të vetëm.
"Ku je?" (vargu 9): Pyetja e parë e Perëndisë. Në Bibël pyetja e parë nuk është "Çfarë bëre?", por "Ku je?". Jo akuzë, por ftesë.
Do të shtypë / do të plagosë (vargu 15): E njëjta folje origjinale përdoret për të dyja goditjet, por vendi i goditjes bën dallimin. Kokë e gjarprit — plagë vdekjeprurëse; thembra e farës — plagë e dhimbshme, por jo përfundimtare. Kryqi e plagosi Birin, por po ai kryq i shtypi kokën armikut (Hebrenjve 2:14).
Lidhja me Krishtin dhe Dhiatën e Re
Zanafilla 3 dhe Ungjilli janë dy skajet e të njëjtit hark. Pali e viziton qartë këtë paralelizëm te Romakëve 5:19:
"Ashtu si me anë të mosbindjes së një njeriu të vetëm të shumtët u bënë mëkatarë, ashtu edhe me anë të bindjes së një të vetmi të shumtët do të bëhen të drejtë."
Adami i parë | Adami i fundit (Krishti)U tundua në një kopsht bollëku dhe ra. | U tundua në shkretëtirën e urisë dhe qëndroi (Mateu 4:1-11).
U fsheh mes pemëve nga frika. | U ngjit mbi një pemë (kryqin) me dashuri.
Solli gjëmba mbi tokë. | Mbajti gjëmba si kurorë mbi kokë (Gjoni 19:2).
Premtimi i vargut 15 u përmbush pikë për pikë në kryq. Dhe ashtu si Perëndia i veshi Adamin dhe Evën me lëkurë të një kafshe të flijuar, ashtu vesh sot çdo besimtar me drejtësinë e Qengjit të flijuar:
"U vesha me rrobat e shpëtimit, më mbuloi me mantelin e drejtësisë..." — Isaia 61:10
Historia që filloi me gjethe fiku përfundon me rroba të bardha (Zbulesa 7:14).
Zbatime praktike
Peshkatarët e dinë një të vërtetë të thjeshtë: askush nuk e kap grepin e zhveshur, grepi vishet gjithmonë me karrem. Diçka që duket si ushqim që premton jetë, fsheh vdekjen brenda. Kështu punon çdo tundim që nga Edeni.
Pesë mësime praktike që marrim:
Mëso strategjinë e armikut: Tundimi ende punon me të njëjtat hapa: dyshimi mbi fjalën, mohimi i pasojave dhe premtimi i rremë. Kur dëgjon këto zëra, përgjigju si Jezusi: "Është shkruar..."
Mos u fshih: Instinkti ynë pas mëkatit është të fshihemi e të shmangemi. Por Perëndia nuk të kërkon për të të shkatërruar, të kërkon për të të shpëtuar. Rrëfimi i sinqertë ("mëkatova") hap derën e faljes (1 Gjonit 1:9).
Prit gjëmba, por mos i ngatërro me mallkimin personal: Jetojmë në një botë të rënë ku punët lodhin, trupat sëmuren dhe marrëdhëniet plagosen. Këto janë pasojat e përgjithshme të Zanafillës 3, jo domosdoshmërisht dënim personal për një mëkat specifik (Gjoni 9:2-3).
Beso në premtim edhe në mes të gjykimit: Adami e quajti gruan "Eva" (jetë) kur sapo ishte shpallur vdekja. Beso në fjalën e Perëndisë edhe kur rrethanat thonë të kundërtën.
Hiq gjethet e fikut: Mos u përpiq të mbulosh turpin tënd me veprat, imazhin apo arritjet e tua. Prano veshjen që ofron Perëndia — drejtësinë e Tij.
Pyetje për reflektim:
Cili nga të tre hapat e tundimit funksionon më shpesh tek ti?
Si fshihesh ti nga Perëndia dhe çfarë do të ndryshonte rrëfimi i sinqertë?
Ku e sheh modelin e fajësimit në jetën tënde?
Varg për t'u mbajtur mend:
Zanafilla 3:15: "Fara e saj do të shtypë kokën tënde dhe ti do të plagosësh thembrën e farës së saj."
Ungjilli u predikua për herë të parë në ditën më të zezë, nga vetë goja e Perëndisë. Paqja dhe hiri i Tij qofshin me secilin prej jush! Zoti ju bekoftë!