Rruga, e Vërteta dhe Jeta
Truth FM Albania shpall mesazhin e Ungjillit të Jezu Krishtit, duke ftuar çdo dëgjues të njohë shpresën, të vërtetën dhe jetën që gjendet vetëm në Të.
Jezusi tha:
“Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë. Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt, duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit dhe të Frymës së Shenjtë, dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës.”
Përmes transmetimeve tona, synojmë të ndajmë Fjalën e Perëndisë, të forcojmë besimin dhe të inkurajojmë zemrat me të vërtetën e përjetshme të Krishtit.
Kulla e Babelit
Emri që njeriu ndërton dhe emri që Perëndia jep
q
Ju ftoj të lexojmë së bashku nga Zanafilla 11 disa vargje kyçe që na ndihmojnë të kuptojmë këtë kapitull mësimori:
"Dhe ata i me tha njëri-tjetrit: 'Ejani të ndërtojmë për vete një qytet dhe një kullë, maja e së cilës të arrijë deri në qiell, dhe të bëjmë një emër për vete, që të mos shpërndahemi mbi faqen e tërë dheut.'"— Vargu 4
Tani lexojmë vargun 5:
"Por Zoti zbriti për të parë qytetin dhe kullën që bijtë e njerëzve ishin duke ndërtuar.""Prandaj këtij vendi i dha emrin i Babelit, sepse aty Zoti ngatërroi gjuhën e tërë dheut dhe i shpërndau mbi tërë faqen e dheut."— Vargu 9
Me këtë tregim mbylllet historia fillestare. 10 kapitujt e parë të njerëzimit dhe mbylllet me projektin më ambicioz të tij: një kullë deri në qiell dhe një emër të bërë me duart e veta — Babel.
Është historia e çdo qytetërimi dhe çdo zemre që përpiqet të ngjitet në qiell pa Perëndinë. Dhe historia e Perëndisë që zbret: herë për të gjykuar, dhe një ditë në Betlehem për të shpëtuar.
Konteksti Historik dhe Kulturor
Le të ndalemi pak te konteksti historik dhe kulturor i këtij kapitulli.
Vendi: Është një fushë në krahinën e Shinarit (Vargu 2) në Mesopotami, toka e Nimrodit (Kapitulli 10:10 e mësojmë këtë).
Ndërtesa: Përshkruhet mirë nga arkeologjia si Zigurati — kullë tempull me shkallë që ngrihen në qendër, me majë të menduar si vend takimi me perënditë, "porta e qiellit".
Emri Babel: Në gjuhën e Babilonisë do të thoshte "Porta e Perëndisë". Kështu e quanin ata me krenari të madhe. Por teksti hebraik bën një lojë fjalësh therëse: emrin e tyre të lavdisë e lidh me foljen balal (të ngatërrosh). Ajo që për ndërtuesit ishte porta e qiellit, për qiellin ishte thjesht rrëmujë. Perëndia ka sens humori të shenjtë me krenaritë tona.
Vini re diçka interesante te detaji i materialeve (Vargu 3):
Tulla në vend të gurëve dhe bitum në vend të llaçit.
Për lexuesit e Izraelit që njihnin ndërtimet me gurë, kjo ishte shenjë e teknologjisë njerëzore të vetëmjaftueshme. Tulla është guri që e bën vetë njeriu. Asgjë të keqe te tulla — problemi s'ishte teknologjia, por drejtimi i saj. Aftësia e dhënë nga Perëndia e kthyer kundër urdhrit të Perëndisë, sepse urdhri qëndronte i qartë që nga Kapitulli 9:1: "Mbushni tokën". Dhe qëllimi i deklaruar i kullës ishte pikërisht e kundërta: "Që të mos shpërndahemi" (Vargu 4).
Babeli nuk është thjesht krenari; është rebelim i organizuar kundër mandatit të Perëndisë.
Analiza e Vargjeve
Fjalët e Vargut 6: "Asgjë nuk do t'i pengojë të kryejnë atë që kanë ndërmend", tingëllojnë çuditërisht bashkëkohore. Epoka jonë e ka rindërtuar një gjuhë të vetme — teknologjia. I lidh njerëzit e gjithë globit në një çast. Dhe fuqia e bashkuar e njerëzimit sot arrin atje ku Babeli s'e ëndërronte dot. Kjo nuk është domosdoshmërisht mallkim (rrjetat treguan se lidhja mes popujve mund të shenjtërohet), por është thirrje për maturi: sa më e madhe, më e fuqishme dhe më e bashkuar bëhet, aq më e rëndësishme lind pyetja e Babelit: Rreth kujt po bashkohemi? Kulla digjitale mbetet kullë nëse në themel s'është Perëndia.
Vargjet 1–4: "Të bëjmë një emër për vete"
Shikoni gjuhën e projektit: "Ejani të bëjmë tulla, ejani të ndërtojmë, të bëjmë një emër për veten tonë." Gjithçka rrotullohet rreth vetes: për vete, kullë për vete, emër për vete. Perëndia nuk përmendet asnjëherë në planet e tyre. Qëllimi është vetëm lartësia që duhet arritur, jo personi që duhet dëgjuar.
Dhe motivi i fshehtë del në fund të fjalisë: "Që të mos shpërndahemi". Ndoshta ishte frika? Nën çdo kullë krenarie fshihet një themel frike: frika se pa emrin tonë, pa qytetin tonë, pa arritjet tona, do të humbasim. Krenaria dhe pasiguria janë dy anët e së njëjtës monedhë.
Vargu 5: Ironia hyjnore
Ironia më e madhe e Biblës: "Zoti zbriti për të parë". Imagjinoni pak: njeriu ndërton kullën më të lartë të historisë me majën deri në qiell, dhe teksti thotë me qetësi therëse: por Zoti zbriti për të parë qytetin dhe kullën. Kulla që për njeriun ishte gjigante, nga froni i qiellit s'dukej fare — Perëndisë iu desh të zbriste për ta parë! Kjo është ironia hyjnore në formën e saj më të pastër. Profeti Isaia do të thotë më vonë: "Kombet janë si një pikë uji në një kovë para Tij" (Isaia 40:15). Asgjë nuk e shëron krenarinë si ndërrimi i këndvështrimit nga këmbët e kullës te froni i qiellit.
Vargjet 6–7: Gjykimi si mëshirë
"Ejani të zbresim" — Përballë "Ejani" të njerëzve, vjen "Ejani" i qiellit. "Ejani të zbresim dhe të ngatërrojmë gjuhën e tyre". Por rearsyeja që jep Perëndia në vargun 6: "Asgjë nuk do t'i pengojë të kryejnë atë që kanë ndërmend". Njerëzimi i bashkuar në rebelim është njerëzim pa fre. Kujtoni brezin e Noeut: korrupsioni i pandalur solli përmbytjen. Ngatërrimi i gjuhëve është fre dhe gjykim që parandalon një gjykim më të madh e më të ashpër. Njerëzimi i ndarë në gjuhë e kombe nuk mund ta çojë të keqen deri në fund me të njëjtën shpejtësi. Ashtu si dëbimi nga Edeni që të mos hanin nga pema e jetës në gjendje mëkati, edhe shpërndarja e Babelit është mëshirë e veshur si ndëshkim.
Vargjet 8–9: Emri që kërkuan dhe emri që morën
Deshën emër, dhe emër morën: Babel (Rrëmoja). Deshën të mos shpërndaheshin, dhe u shpërndanë mbi tërë faqen e dheut. Kulla mbeti përgjysmë, qyteti u braktis, dhe e vetmja gjë që mbijetoi prej projektit ishte emri tallës. Ky është ligji i përhershëm i krenarisë: Perëndia u kundërvihet mendjemëdhenjve dhe u jep hir të përulurve (Jakobi 4:6). Ata që ndërtojnë emra për vete i shohin emrat të shemben; ata që përulen marrin emër prej Perëndisë.
Me Babelin fillon edhe një nga temat e mëdha të Biblës: Historia e dy qyteteve — Qyteti i njeriut i ndërtuar për emrin e vet (nga Babeli te Babilonia e madhe e Zbulesës) dhe Qyteti i Perëndisë, të cilin njeriu nuk e ndërton por e pret ("Abrahami priste qytetin që ka themelet, mjeshtër dhe ndërtues i të cilit është Perëndia" — Hebrenjtë 11:10). Njëri qytet ngrihet nga toka drejt qiellit dhe bie; tjetri zbret nga qielli mbi tokë dhe qëndron (Zbulesa 21:2).
Vargjet 10–32: Nga Rrëmoja te Thirrja (Ura drejt Abrahamit)
Pas një pauze, teksti kalon te një gjenealogji: brezat e Shemit (emri i të cilit do të thotë pikërisht "Emër" në hebraisht: Shem). Njerëzit e Babelit kërkuan emër me duart e tyre dhe humbën, ndërsa nga linja e Shemit po vjen njeriu të cilit Perëndia do t'i thotë: "Unë do ta bëj të madh emrin tënd" (Zanafilla 12:2).
E njëjta dëshirë, dy rrugë të kundërta: emri i ndërtuar kundrejt emrit të dhuruar.
Gjenealogjia brezi pas brezi (Shemi, Arpakshadi, Eberi, Pelegu...) ndalon te një familje në Ur të Kaldeas: Terahu dhe biri i tij, Abrami. Terahu niset për në Kanaan por ndalet në Haran (Vargu 31). Udhëtimi i papërfunduar i babait do të bëhet thirrja e përfunduar e birit. Historia fillestare mbyll me skenën gati tragjike: gjithë njerëzimi i shpërndarë dhe një njeri i vetëm në prag të thirrjes që do të ndryshojë botën.
Fjalët Kyçe të Tekstit
Babel (Vargu 9): Në babilonisht Babili = "Porta e Perëndisë"; në lojën e fjalëve hebraike lidhur me balal = "Të ngatërrosh". Babeli/Babilonia do të bëhet në Bibël simboli i përhershëm i qytetërimit kundër Perëndisë deri te Babilonia e madhe e Zbulesës 18 që bie përfundimisht.
Emër (Vargu 4): Fjala origjinale është Shem (identitet, famë, kujtesë e qëndrueshme). Ironia është se kërkuesit e shem-it humbasin gjithçka, ndërsa linja e Shemit çon te Abrami, të cilit Perëndia i premtom shem të madh. Emri i vërtetë nuk ndërtohet, dhurohet.
Ejani (Vargjet 3, 4, 7): Folja Hava. Tri herë përdoret në tregim: dy herë nga njerëzit ("Ejani të bëjmë, ejani të ndërtojmë") dhe një herë nga Perëndia ("Ejani të zbresim"). Çdo "Ejani" njerëzor pa Perëndinë merr përgjigje nga një "Ejani" hyjnor.
Zbriti (Vargjet 5, 7): Folja Yarad. Perëndia zbret për gjykim, por kjo folje ka një të ardhme të lavdishme: Perëndia do të zbresë sërish në Sinai për të dhënë ligjin (Eksodi 19:20) dhe përfundimisht në Betlehem për të dhënë Veten.
Lidhur me Krishtin dhe Dhjetën e Re
Babeli gjen përgjigjen e vet të plotë në dy skena të Dhjatës së Re:
Rraskapitja / Rrjedhoja te Rrëshajët (Veprat 2): Anti-Babeli i vërtetë.
Aty gjuhët u ngatërruan që njerëzit të ndaheshin; në Jeruzalem, Fryma dha gjuhë që të gjithë të dëgjonin "gjërat e mëdha të Perëndisë" secili në gjuhën e vet (Veprat 2:11). Perëndia nuk i kthye njerëzit në një gjuhë të vetme, Ai bëri një lajm të vetëm të flitej në të gjitha gjuhët. Uniteti i ri nuk është uniformitet kullash, është harmoni trupi.
Filipianët 2:6–9: Rruga e Krishtit kundër Rrugës së Babelit.
"I cili, edhe pse ishte në trajtë Perëndie... e zbrazi veten e tij duke marrë trajtën e shërbëtorit... e përuli veten duke u bërë i bindur deri në vdekje, deri në vdekje të kryqit. Prandaj edhe Perëndia e lartësoi madhërisht dhe i dha një emër që është përmbi çdo emër."
Njerëzit e kullës u përpoqën të ngjiteshin për të fituar emër dhe humbën të dyja. Krishti bëri të kundërtën e saktë: Ai që ishte lart zbriti, u zbraz, u përul deri në kryq. Dhe pikërisht Atij i u dha emri që është përmbi çdo emër. Rruga e Babelit (ngjitu për të marrë) çon te rrëmoja; rruga e Krishtit (zbrit për të dhënë) çon tek lavdia.
Dhe ne që s'mund të ndërtojmë dot kurrë kullë deri në qiell, s'kemi më nevojë: "Kushdo që do të thërrasë emrin e Zotit do të shpëtohet" (Romakëve 10:13). Qielli nuk arrihet me tulla, arrihet me thirrje e me besim tek Jezu Krishti.
Zbatim Praktik
Sot në çdo qytet të botës ka kulla, dhe në çdo zemër gjithashtu:
Karriera që duam të arrijë deri në qiell.
Llogaria e rrjeteve sociale ku po bëjmë një emër për vete.
Suksesi i fëmijëve si kulla e prindërve.
Madje edhe shërbesa në kishë kur bëhet si kullë personale.
Tullat ndryshojnë, projekti është i njëjti. Prandaj Babeli na flet të gjithëve:
Pyet veten: Kush është në themel të projekteve të tua? Ndërtuesit e Babelit nuk e përmendën Perëndinë asnjëherë. Merr projektin tënd më të madh të këtij viti dhe bëj testin: A shfaqet Perëndia në planet e tua apo është vetëm për vete, për vete, për vete? Projektet pa Të mund të ngrihen lart, por ngrihen drejt askundit.
Dallo frikën nën krenari. "Të bëjmë emër që të mos shpërndahemi". Nën ambicien fshihet pasiguria. Shpesh vrapimi ynë pas arritjeve nuk është forcë, por frikë se pa to nuk jemi askushi. Evangjelia e shëron këtë nga rrënja: emri yt është i shkruar në qiell (Luka 10:20), s'ke nevojë ta gdhendësh në tulla.
Mos e adhuro unitetin si vlerë në vetvete. Babeli ishte njerëzimi më i bashkuar në histori, por i bashkuar kundër Perëndisë. Jo çdo bashkim është bekim. Uniteti rreth vetes ndërton kulla; uniteti rreth Krishtit ndërton trupin (Efesianëve 4:3–13).
Lexoji ndryshe planet e shpërndara. Ndonjëherë Perëndia i ngatërron planet tona, dera që s'u hap, projekti që u shpërbë, largimi që s'e donim. Para se ta quash humbje, kujto Babelin: shpërndarja ishte mëshirë për të parandaluar diçka më të keqe dhe për të çuar te përmbushja e planit të Tij.
Zgjidh rrugën e zbritjes. Bota thotë: "Ngjitu, dukesh, bëj emër!" Krishti tregon rrugën tjetër: zbrit, shërbe, zbraze veten. Kërko vendin ku mund të shërbesh para vendit të nderit — emrat që jep Perëndia nuk vyshken kurrë.
Përmbledhje
Kulla e Babelit na tregon projektin e emrit të vetëndërtuar dhe frikën nën të, ironinë e Perëndisë që zbret për të parë kullën "gjigante", gjykimin mëshirë të ngatërrimit dhe urën e gjenealogjisë që kalon nga rrëmoja te thirrja e Abramit.
"Dhe i dha një emër që është përmbi çdo emër."— Filipianët 2:9
Njeriu ngjitet për emër dhe bie; Krishti zbriti dhe u lartësua.
Qielli nuk arrihet me tulla, por me thirrje.
Paqja dhe hiri i Perëndisë qofshin me gjithsecilin! Zoti ju bekoftë!