Rruga, e Vërteta dhe Jeta
Truth FM Albania shpall mesazhin e Ungjillit të Jezu Krishtit, duke ftuar çdo dëgjues të njohë shpresën, të vërtetën dhe jetën që gjendet vetëm në Të.
Jezusi tha:
“Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë. Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt, duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit dhe të Frymës së Shenjtë, dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës.”
Përmes transmetimeve tona, synojmë të ndajmë Fjalën e Perëndisë, të forcojmë besimin dhe të inkurajojmë zemrat me të vërtetën e përjetshme të Krishtit.
Zanafilla 5: Gjenealogjia e Adamit deri te Noeu
Vdekja që mbretëron dhe njeriu që eci me Perëndinë
Do të shohim disa vargje kyçe ose disa vargje që na ndihmojnë ne për ta kuptuar më mirë këtë kapitull:
"Ky është libri i prejardhjes së Adamit. Ditën që Perëndia krijoi njeriun, e bëri të ngjashëm me Perëndinë. Adami jetoi 130 vjet dhe i lindi një djalë që i përngjante, një lloj në shëmbëlltyrë të tij, dhe e quajti Seth."— Zanafilla 5:1, 3
Le të lexojmë gjithashtu vargjet 22 dhe 24:
"Enoku eci me Perëndinë 300 vjet... Kështu Enoku jetoi gjithsej 365 vjet. Pra Enoku eci me Perëndinë, por nuk u gjet, sepse Perëndia e mori me vete."— Zanafilla 5:22, 24
Gjithashtu edhe vargu 29:
"Dhe i vuri emrin Noe, duke thënë: 'Ky do të na ngushëllojë për punën tonë dhe për mundin e duarve tona, për shkak të tokës që Zoti ka mallkuar'."— Zanafilla 5:29
Hyrje dhe Konteksti Historik
Le ta pranojmë sinqerisht: kur arrijmë te një kapitull me listë emrash dhe numrash, tundimi i parë është që ta kapërcejmë. Por i gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm (2 Timoteut 3:16). Edhe gjenealogjitë — dhe në fakt, Zanafilla 5 nuk është thjesht një listë e thatë. Është një predikim i fshehur me një refrain që do të bjerë si këmbanë mortore tetë herë, me një përjashtim që ndriçon si rreze dielli dhe një emër në fund që mban herë shpresë.
Mbi të gjitha, le të shkojmë te konteksti historik dhe kulturor. Vargu 1 e hap me formulën: "Ky është libri i prejardhjes..." — e dyta nga 10 formulat e tilla që e strukturojnë të gjithë Zanafillën. Për botën e lashtë, gjenealogjitë ishin dokumentet më të çmuara që ekzistonin. Ato vërtetonin identitetin, trashëgiminë, të drejtat mbi tokën dhe vendin në popullin e Perëndisë.
Izraeli që lexonte këto lista nuk i shihte emrat si të mërzitshëm. Shihte rrënjët e veta, urën që e lidhte me Adamin dhe me premtimin e farës. Paramendoni pra, në qoftë se ne si njerëz do të mund të gjenim gjenealogjinë e historisë së familjes sonë, besoj se asnjëri prej nesh nuk do të ishte i mërzitur, apo nuk do ta shikonte si të mërzitshme në qoftë se do të dëgjonte emrat e paraardhësve të vet, emrat e familjarëve të vet. Pra, është e rëndësishme të dëgjosh për trungun familjar.
Jetëgjatësitë e Mëdha dhe Refraini "Dhe Vdiq"
Shikojmë tek kapitulli 5 që jetëgjatësitë janë shumë të mëdha, nga 800 deri në 900 vjet. Janë propozuar shpjegime të ndryshme, por dy gjëra janë të qarta nga vetë teksti:
Bota para përmbytjes ishte ndryshe nga ajo jona. Pas saj, jetëgjatësia bie shkallë-shkallë (për një krahasim më të thellë dhe për studim personal, mund të krahasoni Zanafillën 11 me Psalmin 90).
Dhe më e rëndësishmja: pavarësisht sa gjatë jetuan, refraini mbetet i njëjtë: "...dhe vdiq."
Metushelahu jetoi 969 vjet — më gjatë se çdo njeri në histori — dhe vdiq. Mosha më e madhe e mundshme nuk e zgjidh problemin e njeriut; e vetmja gjë që bën është se ta shtyjë funeralin. Paralajmërimi i Zanafillës 2:17 po përmbushet brez pas brezi.
Dy Gjenealogji, Dy Drejtime
Vini re gjithashtu kontrastin e qëllimshëm me kapitullin 4. Atje pamë linjën e Kainit: qytete, arte, poligami dhe këngë hakmarrjeje. Këtu shohim linjën e Sethit: ata që filluan të përmendnin emrin e Zotit (Zanafilla 4:26).
Dy gjenealogji.
Dy qytetërime.
Dy drejtime: njëra ndërton pa Perëndinë, tjetra ecën me Të.
Bibla do të ndjekë këto dy linja deri në fund të historisë.
Struktura e listës është gjithashtu e menduar: 10 breza nga Adami te Noeu, ashtu si më vonë do të numërohen 10 breza nga Semi te Abrahami (Zanafilla 11). Dhjetëshja e parë përfundon me njeriun e arkës; e dyta me njeriun e premtimit. Perëndia punon me breza të plotë, me plan e jo me rastësi. Edhe Mateu do të marrë të njëjtën ide kur të strukturojë gjenealogjinë e Jezusit në tri grupe brezash (Mateu 1:17). Historia nuk rrjedh rastësisht, ajo drejtohet.
Shëmbëlltyra e Plagosur, Jo e Fshirë
Shikojmë tri vargjet e para. Kapitulli hapet duke rikujtuar Zanafillën 1: njeriu u krijua i ngjashëm me Perëndinë. Pastaj shton diçka të re: Adami i lindi djalë që i përngjante në shëmbëlltyrë të tij.
Këtu fshihet një teologji e tërë. Shëmbëlltyra e Perëndisë vazhdon të përcillet brez pas brezi, prandaj çdo jetë njerëzore mbetet e shenjtë edhe pas rënies (Zanafilla 9:6, Jakobi 3:9). Por tani, ajo kalon përmes një filtri të ri: shëmbëlltyra e Adamit të rënë. Fëmijët e Adamit trashëgojnë dinjitetin e tij hyjnor dhe natyrën e tij të rënë njëkohësisht — arin dhe plasaritjen së bashku. Davidi do ta rrëfejë këtë për veten:
"Unë jam formuar në paudhësi..."— Psalmi 51:5
Këmbana Mortore dhe Përjashtimi i Enokut
Shprehjen "...dhe vdiq" e shikojmë tetë herë. Po ta lexosh kapitullin me zë të lartë, do të ndjesh ritmin: jetoi, i lindi, bij e bija, dhe vdiq... jetoi, dhe vdiq. Tetë herë bie kjo këmbanë: Adami, Sethi, Enoshi, Kenani, Mahalaleli, Jaredi, Metushelahu, Lameku. Pali e lexon këtë kapitull kur shkruan: "vdekja mbretëroi nga Adami..." (Romakëve 5:14). Vdekja nuk është pjesë natyrore e jetës, siç përpiqet të na ngushëllojë bota. Ajo është pushtuese, armiku i fundit (1 Korintasve 15:26), paga e mëkatit (Romakëve 6:23). Zanafilla është regjistri i parë i pagave të paguara.
Dhe pikërisht ky refrain monoton e bën përjashtimin të shpërthejë si agim. Në mes të kësaj liste të vdekjes, gjejmë Enokun — njeriun që theu ritmin. Papritur, ritmi thyhet! Për Enokun nuk thuhet thjesht "jetoi", por dy herë: "eci me Perëndinë". Dhe nuk thuhet "vdiq", por: "nuk u gjet më, sepse Perëndia e mori me vete."
Çfarë do të thotë të ecësh me Perëndinë?
Fjala përshkruan shoqërim të vazhdueshëm, hap pas hapi, ditë pas dite, në të njëjtin drejtim. Jo vrap sporadik entuziast, as qëndrim statik feje formale; por ecje e përditshme, e qëndrueshme dhe e afërt.
Vini re detajin prekës: Enoku eci me Perëndinë 300 vjet pasi i lindi Metushelahu. Ecja e tij me Perëndinë nuk ishte arrati nga jeta e zakonshme, por brenda saj — mes fëmijëve, punës dhe përditshmërisë.
Hebrenjtë 11:5 e komenton:
"Me anë të besimit Enoku u zhvendos që të mos shikonte vdekje... sepse para se të merrej, ai pati dëshmi se i kishte pëlqyer Perëndisë."
Dhe profecia e Judës 14-15 na tregon se Enoku nuk ishte mistik i heshtur; ai predikonte gjykimin e ardhshëm në brezin e vet. Enoku është dëshmia e hershme se vdekja nuk është fjala e fundit për ata që ecin me Perëndinë. Dera e parë e ringjalljes u hap një herë si shenjë, para se Krishti ta hapte për gjithmonë.
Pyetja e Amositt
"A ecin bashkë dy veta pa u pajtuar më parë?"— Amosi 3:3
Të ecësh me dikë do të thotë të pajtohesh me drejtimin e tij, të mbash hapin e tij, të bisedosh gjatë rrugës. Enoku nuk e tërhoqi Perëndinë në rrugën e vet; ai u fut në rrugën e Perëndisë. Dhe ja hiri befasues i tregimit: pas 300 vjetësh ecje rrugë, një ditë thjesht vazhdoi në shtëpinë e shokut të udhëtimit. Komentuesit e vjetër e thonë ëmbël: Atë ditë ecën më gjatë se zakonisht, dhe Perëndia i tha: "Jemi më afër shtëpisë sime sesa sates, eja tek unë."
Metushelahu dhe Durimi i Perëndisë
Le të shohim vargjet 25 dhe 27. Metushelahu — durimi i Perëndisë me këmbë. Njeriu me jetëgjatësinë më të madhe në histori (969 vjet) mban një sekret në numrat e tij: po të mblidhen vitet e tekstit, Metushelahu vdes pikërisht në vitin e përmbytjes.
Djali i njeriut që eci me Perëndinë jetoi më gjatë se kushdo. Dhe sa kohë që ai jetonte, gjykimi priste. Jeta më e gjatë në histori ishte njëkohësisht afati më i gjatë i hirit në histori. Zoti është i durueshëm ndaj nesh, sepse nuk do që ndokush të humbasë (2 Pjetrit 3:9).
Noeu: Emri i Shpresës
Te vargjet 28 deri në 32, zbulojmë emrin e shpresës. Kapitulli mbyllet me një baba që i vë djalit emër-lutje: Noe (që do të thotë prehje, ngushëllim).
"Ky do të na ngushëllojë për shkak të tokës që Zoti ka mallkuar."
Ky Lamek (jo ai i linjës së Kainit që këndonte për hakmarrje — vini re kontrastin: dy Lamekë, dy zemra) e ndjen peshën e mallkimit të Zanafillës 3 dhe shpreson që djali i tij të sjellë çlirimin. Noeu do të sjellë vërtet një fillim të ri, por edhe ai vetë ishte vetëm si hije e Atij që do të thoshte një ditë:
"Ejani tek unë... dhe unë do t'ju jap çlodhje."— Mateu 11:28
Brezat numërohen duke pritur Dikë.
Fjalët Kyçe të Tekstit
"Eci me Perëndinë" (vargjet 22, 24): Fjala origjinale është në një formë që tregon veprim të vazhdueshëm e të përsëritur — ecte, ecte dhe ecte. Jetë e tërë hapash të vegjël në shoqërinë e Perëndisë. E njëjta shprehje do të përdoret për Noeun (Zanafilla 6:9) dhe kërkohet nga të gjithë ne: të ecim përulësisht me Perëndinë tonë (Mikea 6:8).
"Dhe vdiq": Kjo fjalë e përsëritur tetë herë, në gjuhën origjinale është një fjalë e vetme, e shkurtër dhe e prerë, si vetë realiteti që përshkruan. Fryma e Shenjtë e ndërtoi kapitullin që ta ndiejmë peshën: mëkati paguan gjithmonë, dhe paga është gjithmonë e njëjtë.
"Noe" (vargu 29): Emri lidhet me fjalën origjinale për prehje dhe ngushëllim. Është emri i parë në Bibël që i vihet një fëmije si profeci shprese, duke hapur një traditë që kulmon me emrin mbi çdo emër: "Do t'ia vësh emrin Jezus, sepse ai do të shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre" (Mateu 1:21).
"Libri i prejardhjes së Adamit" (vargu 1): Kjo shprehje shfaqet vetëm dy herë në të gjithë Shkrimin:
Te Zanafilla 5:1: "Libri i prejardhjes së Adamit" — ku mbretëron vdekja.
Te Mateu 1:1: "Libri i prejardhjes së Jezu Krishtit" — ku mbretëron jeta.
Krishti në Zanafillën 5
Emrat e Zanafillës 5 nuk humbin në pluhurin e historisë; ata rishfaqen në një vend të mrekullueshëm: te gjenealogjia e Jezusit. Luka 3:36-38 ndjek prejardhjen e Krishtit prapa përmes Noeut, Lamekut, Metushelahut, Enokut, Jaredit, Mahalalelit, Kenanit, Enoshit, Sethit, deri tek Adami i Perëndisë.
Çdo emër i mërzitshëm i kapitullit tonë është një hallkë në zinxhirin që çon te grazhdi i Betlehemit. Perëndia nuk harron asnjë brez, dhe përmes brezave më të zakonshëm thur planin më të jashtëzakonshëm. Sepse ashtu siç të gjithë vdesin në Adamin, kështu të gjithë ngjallen në Krishtin (1 Korintasve 15:22).
Zanafilla 5 është kapitulli i "të vdekurve në Adamin" — tetë këmbanat mortore e vërtetojnë këtë. Por Krishti hyri pikërisht në këtë gjenealogji vdekjeje për ta thyer atë nga brenda. Ai vdiq me të vërtetë, u shkrua edhe për Të, por të tretën ditë refraini u thye për gjithmonë: "Nuk është këtu, por u ringjall!" (Luka 24:6).
Ajo që Enoku e shijoi si përjashtim të vetëm — të mos mbetej nën pushtetin e vdekjes — Krishti e bëri trashëgimi për të gjithë të Tijtë:
"Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson tek unë, edhe sikur të duhej të vdiste, do të jetojë."— Gjoni 11:25
Enoku ishte premtimi me shkronja të vogla; ringjallja është premtimi me shkronja të mëdha.
Mesazhi Praktik: Vija në Mes
Në varrezat e vjetra shihet shpesh një gur me dy data dhe një vijë mes tyre: 1819 – 1865. Dikush e ka thënë bukur: Gjithë jeta jonë është ajo vija e vogël në mes.
Zanafilla 5 është kapitulli i vijave në mes: jetoi, i lindi, bij, dhe vdiq. Po çfarë ndodhi te vija? Për shtatë emra, teksti hesht. Për njërin thotë gjithçka: "eci me Perëndinë". Kjo është pyetja e kapitullit për secilin nga ne: Çfarë do të thotë vija jote?
Ecja me Perëndinë është përditshmëri, jo heroizëm. Enoku nuk ndërtoi arkë, nuk ndau det, nuk mundi gjigantë. Thjesht eci 300 vjet mes fëmijëve dhe punës. Besnikëria e përditshme e padukshme, lutja e mëngjesit, fjala e përditshme, bindja në gjërat e vogla — Perëndia e vlerësoi aq sa e mori pranë vetes. Mos e nënvlerëso ecjen e thjeshtë.
Jeto në dritën e refrainit "...dhe vdiq". Do të shkruhet edhe për ne, dhe kjo është urtësi: "Na mëso të numërojmë ditët tona për të pasur një zemër të urtë" (Psalmi 90:12 — i shkruar nga Moisiu, autori i këtij kapitulli). Ai që mban mend fundin, i jep kuptim mesit. Çfarë do të kishte rëndësi në ditën tënde të sotme po ta shihje nga fundi?
Trashëgimia jote është shëmbëlltyra që përcjell. Adami i la Sethit shëmbëlltyrën e vet, dhe secili prej nesh u lë fëmijëve e brezave pas nesh diçka nga vetja: besim ose cinizëm, ecje me Perëndinë ose largësi prej Tij. Lameku i linjës së Sethit i la djalit një emër shprese; Lameku i linjës së Kainit u la grave një këngë hakmarrjeje. Çfarë po u lemë ne atyre që vijnë pas?
Duro me durimin e Perëndisë. Sa kohë që Metushelahu jetonte, përmbytja priste (969 vjet hiri para gjykimit). Nëse pyet pse Perëndia nuk vepron menjëherë kundër së keqes, Zanafilla 5 përgjigjet: që të kthehen edhe të tjerë (2 Pjetrit 3:9). Dhe nëse pret që dikush i afërt të kthehet, vazhdo të lutesh. Perëndia i numëron vitet e durimit më shumë se ne.
Përmbledhje
Zanafilla 5 është libri i parë i brezave:
Shëmbëlltyra e Perëndisë që vazhdon e plagosur.
Këmbanat "...dhe vdiq" që bien tetë herë.
Enoku që theu ritmin duke ecur me Perëndinë.
Metushelahu që mishëroi durimin e gjatë të hirit.
Dhe Noeu, emri i shpresës në fund të listës.
Dhe me gjithë çka, këta emra u bënë hallkat e zinxhirit që solli Krishtin, i cili e theu refrainin e vdekjes për gjithmonë.
Mbaje mend këtë varg:
"Enoku eci me Perëndinë..."— Zanafilla 5:24
Katër fjalë — përshkrimi më i shkurtër dhe më i madh i jetës në Dhjatën e Vjetër.
Pyetje për Refleksion:
Po të shkruhej jeta jote me një fjali të vetme si e Enokut, çfarë do të thoshte sot? Çfarë do të doje të thoshte?
Si të inkurajon durimi 969-vjeçar i treguar përmes Metushelahut që të mos heqësh dorë nga lutja?
Paqja dhe hiri i Perëndisë qoftë me gjithsecilin prej jush! Zoti ju bekoftë, Zoti ju dhëntë paqe, Zoti ju dhëntë hir!