Udha e Verteta dhe Jeta - TruthFM Albania

Ndarja nga Loti – Zgjedhja e Luginës (Zanafilla 13:1-18)
Në këtë mësim të thellë e praktik biblik (kohëzgjatja 16:22), eksplorojmë historinë e ndarjes së Abrahamit dhe Lotit dhe mësimet e mëdha jetësore që rrjedhin prej saj.
Çfarë ndodh kur bekimi bëhet burim grindjeje? Si duhet të reagojmë si besimtarë kur përballemi me konflikte familjare apo zgjedhje të rëndësishme në jetë? Nëpërmjet analizës së detajuar të Zanafillës kapitullit 13, trajtojmë diferencën midis "syve të Lotit" (zgjedhja me mendjen e vet, e bazuar në pamjen e jashtme) dhe "syve të Abrahamit" (besimi, përulësia dhe pritja e premtimit të Perëndisë).
⏱️ Përmbajtja e Videos sipas Minutave (Timestamps):
  • 00:00 - Hyrje & Leximi i Shkrimit të Shenjtë (Zanafilla 13:1-18)
  • 02:15 - Konteksti Historik dhe Kulturor: Pasuria si Burim Konflikti
  • 04:30 - Vargjet 1–7: Kur Bekimi Bëhet Burim Grindjeje
  • 06:45 - Vargjet 8–9: Madhështia e Dorëheqjes („Sepse Jemi Vëllezër”)
  • 09:10 - Vargjet 10–13: Sytë e Lotit & Rreziku i Kompromisit Gradual
  • 11:35 - Vargjet 14–18: Sytë e Abrahamit & Zëri i Perëndisë Pas Ndarjes
  • 13:50 - Lidhja me Dhiatën e Re & Modeli i Jezu Krishtit
  • 15:10 - 5 Aplikime Praktike për Jetën Tonë Sot & Konkluzioni (16:22)
💡 5 Mësimet Kryesore të Këtij Studimi:
  1. Paqja në familje vlen më shumë se e drejta jote: Abrahami flijoi të drejtën e tij për të ruajtur vëllazërinë.
  2. Kujto se bota po të shikon: Dëshmia jonë si besimtarë para botës është e çmuar.
  3. Mos e zgjidh jetën vetëm me sy: Jo çdo gjë që duket si "kopsht i Zotit" sjell bekim.
  4. Ki kujdes drejtimin e çadrës: Kompromisi dhe mëkati fillojnë gjithmonë me hapa të vegjël.
  5. Prit fjalën pas ndarjes: Bekimet më të mëdha vijnë shpesh pas dorëheqjeve më të mëdha.
Gjithashtu në këtë video analizohen fjalët kyçe hebraike: Nasa Einayim (ngritja e syve), Achim (vëllezër), Parad (ndarja) dhe Si kopshti i Zotit.
✨ Nëse ky mësim ju bekoi, mos harroni të bëni Like, Share me miqtë tuaj dhe Subscribe për më shumë studime e predikime biblike!

🏷️ 20 Keywords 

#Zanafilla13, #MësimBiblik, #AbrahamiDheLoti, #StudimBiblik, #PredikimeShqip, #FjalaEPerëndisë, #BiblaShqip, #BesimiKishë, #BesimiKristian, #JezuKrishti, #PaqjaNëFamilje, #ZgjedhjetEJjetës, #ZotiËshtëMë Miri, #UrtësiBiblike, #LutjaDheBesimi, #JetëBesimtari, #NdarjaNgaLoti, #Ungjilli, #KishaTinë, #TëJeshBesimtar

Creators and Guests

Host
Altin Koci

What is Udha e Verteta dhe Jeta - TruthFM Albania?

Rruga, e Vërteta dhe Jeta
Truth FM Albania shpall mesazhin e Ungjillit të Jezu Krishtit, duke ftuar çdo dëgjues të njohë shpresën, të vërtetën dhe jetën që gjendet vetëm në Të.
Jezusi tha:
“Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë. Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt, duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit dhe të Frymës së Shenjtë, dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës.”
Përmes transmetimeve tona, synojmë të ndajmë Fjalën e Perëndisë, të forcojmë besimin dhe të inkurajojmë zemrat me të vërtetën e përjetshme të Krishtit.

Ndarja nga Loti: Zgjedhja e Luginës

Sytë që Zgjedhin dhe Sytë që Presin
Zanafilla 13:1–18

Të lexojmë së bashku disa vargje që na ndihmojnë të kuptojmë këtë mësim më së miri:
Atëherë Abrahami i tha Lotit: „Të mos ketë mosmarrëveshje midis teje dhe meje, as midis barinjve të mi dhe barinjve të tu, sepse jemi vëllezër. Nuk e ke përpara teje tërë vendin? Ndahu nga unë.” (Vargjet 8–9)Atëherë Loti ngriti sytë dhe pa tërë fushën e Jordanit, e tëra e ujitur si kopshti i Zotit, si vendi i Egjiptit... Kështu Loti zgjodhi për vete tërë fushën e Jordanit. (Vargjet 10–11)Dhe Zoti i tha Abrahamit, mbas ndarjes së Lotit prej tij: „Ngri tani sytë e tu dhe shiko, tërë vendin që sheh, unë do të ta jap ty dhe pasardhësve të tu për gjithnjë.” (Vargjet 14–15)
Shikojmë tani që Abrahami, i kthyer nga Egjipti, shkoi tek altari i parë. Abrahami përballet me një provë tjetër tani. Nuk ishte më zë buke, por bollëk; jo faraoni i huaj, por familja e vet. Njeriu që u rrëzua te frika, ngrihet i madhërishëm te bujaria. Plaku i thirrur i jep të riut të drejtën e zgjedhjes së parë. Ky kapitull është historia e dy palë syve: sytë e Lotit që zgjedhin vetë dhe sytë e Abrahamit që presin derisa t’i ngrejë Perëndia.
Tek vargjet 10–11 shikojmë sytë e Lotit.
Tek vargjet 14–15 shikojmë sytë e Abrahamit të ngritur lart tek Perëndia.
Konteksti Historik dhe Kulturor
Burimi i konfliktit është vetë bekimi. Abrahami ishte shumë i pasur me bagëti, argjend dhe ar (Vargu 2), dhe Loti gjithashtu kishte kope, dhen, qe dhe çadra (Vargu 5). Toka e Betelit — kodrina gurishte me kullota të kufizuara e pak burime uji — nuk i mbante dot të dy fiset bashkë. Grindjet e përditshme mes barinjve për ujë e kullota ishin realiteti i tyre i përditshëm në botën nomade, dhe mund të përfundonin edhe me gjak. Pra, tensioni ishte shumë i vërtetë, shumë real dhe me të vërtetë me peshë praktike.
Por vini re çfarë shton teksti mes rreshtave:
„Në atë kohë banonin në atë vend kananenjtë dhe perazenjtë.” (Vargu 7)
Pse na e kujton kjo fjali? Sepse grindja e besimtarëve nuk ndodh kurrë në vetmi; bota është gjithmonë spektatore. Dy fise që mbanin emrin e të njëjtit Perëndi po ziheshin para syve të paganëve — dëshmia ishte në rrezik para se të ishte paqja.
Duke kuptuar edhe peshën kulturore, oferta e Abrahamit u bë e vërtetë dhe reale. Në botën e lashtë, i moshuari kishte të drejtën e padiskutueshme të zgjedhjes së parë, aq më tepër kur ishte kreu i fisit, bartësi i premtimit hyjnor dhe xhaxhai që e kishte marrë jetimin Lot nën krahët e vet që nga Uri. Sipas çdo zakoni, Abrahami duhet të zgjidhte i pari dhe Loti të merrte çfarë të mbetej. Pra, kjo ishte mënyra, tradita.
Por duke i dhënë Lotit zgjedhjen e parë, Abrahami po hiqte dorë nga një e drejtë që kërkush nuk ja kontestonte. Dhe pikërisht këtu matet besimi i tij i ri: njeriu që në Egjipt luftoi me thonj për sigurinë e vet, tani ja dorëzon të ardhmen e vet Perëndisë dhe ja lë luginat në duart e një të riu. Diçka kishte ndryshuar te altari i Betelit — rehet se Abrahami deri diku kishte marrë mësim.
Ftoj që të shikojmë pak më me imtësi vargjet së bashku.
Analiza e Vargjeve
Vargjet 1–7: Kur bekimi bëhet burim grindjeje
Ironia e hapjes: pasuria, shenja e bekimit të Perëndisë, bëhet shkaku i përçarjes. Sa herë përsëritet kjo histori: familje që jetuan të bashkuara në varfëri përçahen te trashëgimia; kisha që lulëzuan në ditë të vështira plasariten në ditët e begata. Bollëku i pamenaxhuar me përulësi është provë më e rrezikshme se mungesa, sepse mungesa na kthen te Perëndia, ndërsa bollëku na bind se s'kemi më nevojë për Të. Dhe grindja mes barinjve zbret shpejt tek zotërinjtë. Konflikti i deleguar bëhet konflikt personal nëse nuk ndalet herët.
Vargjet 8–9: Madhështia e dorëheqjes („Sepse jemi vëllezër”)
Fjalët e Abrahamit janë model përhershëm i paqebërjes. Vëmë re disa gjëra interesante këtu:
Nisma: Abrahami, i moshuari, shkon i pari tek i riu (Loti). Paqja nuk pret që tjetri të lëvizë (Mateu 5:23–24).
Arsyeja: „Jemi vëllezër.” Lidhja vihet mbi interesin; ajo që na bashkon peshon më shumë se ajo që na ndan.
Çmimi: „Nuk e ke përpara vendin? Ndahu nga unë.” Abrahami paguan vetë koston e paqes duke hequr dorë nga e drejta e tij e zgjedhjes. Paqja e vërtetë kushton gjithmonë diçka dhe zakonisht e paguan më i pjekuri, më i arsyeshmi. Kush e ka Perëndinë si trashëgimi mund t'i lërë tjetrit luginat. Shikojmë Abrahamin këtu që po vë në praktikë sytë e një besimtari të vërtetë, dhe gjithashtu Abrahami ka nxjerrë mësim nga eksperienca e tij në Egjipt.
Vargjet 10–13: Sytë e Lotit — Zgjedhja që duket e mençur
Loti ngriti sytë dhe pa, zgjodhi për vete. Dëgjoni foljet, janë saktësisht foljet e Evës në kopsht: „pa, mori” (Zanafilla 3:6), dhe foljet e bijve të Perëndisë: „panë, morën” (Zanafilla 6:2). Tri herë në Zanafillë e njëjta rrugë: syri vendos, dora merr, Perëndia nuk pyetet fare. E çfarë do Perëndia, mendojnë?
Ajo që panë sytë e Lotit ishte vërtet mahnitëse: fusha e Jordanit si kopshti i Zotit, si vendi i Egjiptit, parajsa dhe Egjipti në një pamje! Por teksti fut menjëherë dy thika ironie:
Para se Zoti të shkatërronte Sodomën dhe Gomorën (Vargu 10). Lexuesit e dinin çfarë nuk e dinin sytë.
Vargu 13: „Por njerëzit e Sodomës ishin shumë të këqij dhe mëkatarë ndaj Zotit.”
Syri mat tokën, por s'mat dot moralin e saj. Sheh ujërat, por jo gjykimin që vjen. Çdo zgjedhje e bërë vetëm me sy është zgjedhje gjysmënike, jo e plotë, dhe gjysma që mungon është zakonisht ajo që vendos fatin.
Vini re: Loti zgjodhi fushën, pastaj ngriti çadrat e tij deri në Sodomë (Vargu 12) — ende jo brenda, vetëm afër. Por kur kapitulli 14 vjen, do ta gjejë brenda qytetit (Zanafilla 14:12), dhe kapitulli 19 tek porta e tij, vendi i parisë (Zanafilla 19:1). Çadra që ngrihet me drejtim nga Sodoma përfundon me banesë në Sodomë. Askush nuk zhvendoset në mëkat brenda një dite; zhvendoset duke ngulur çadrën një herë, e me vazhdimësi — gjithmonë vetëm pak e nga pak më afër mëkatit pastaj.
Dhe një heshtje tjetër domethënëse në të gjithë historinë e Lotit: nga Uri deri në shpellën e fundit, nuk lexojmë asnjëherë që ai të ketë ndërtuar altari. Ai ndoqi Abrahamin, u bekua prej Abrahamit, por adhurimi i mbeti gjithmonë xhaxhit. Pjetri na siguron se Loti ishte i drejtë dhe shpirti i tij mundohej nga paudhësia e Sodomës (2 Pjetrit 2:7–8), por besimi i pandërtuar mbi altar personal nuk pati forcë të mbante as familjen e vet. Besimi i trashëguar pa adhurim vetjak mund të të bëjë shoqërues të besimtarëve, por jo ndërtues altarësh.
Vargjet 14–17: Sytë e Abrahamit — Pas ndarjes
„Ngri tani sytë”, po i thotë Zoti. Vjen hozia më e bukur e këtij kapitulli. Loti ngriti vetë sytë dhe zgjodhi; Abrahamit, Perëndia i thotë: „Ngri tani sytë e tu dhe shiko.” E njëjta lëvizje fizike, por me urdhër dhe dhuratë hyjnore. Dhe koha e fjalës: mbas ndarjes së Lotit. Perëndia foli pasi Abrahami hoqi dorë. Sa shpesh premtimet më të mëdha vijnë pikërisht pas dorëheqjeve më të mëdha! Çfarë lëshon për paqe e për bindje, Perëndia ta kthen të shumëfishuar.
Loti zgjodhi një luginë; Abrahamit t'i promëtua gjithë vendi: veriu, jugu, lindja, perëndimi, për gjithnjë, dhe pasardhës si pluhuri i tokës. Pastaj urdhri i ëmbël: „Çohu, përshkoje vendin” (Vargu 17). Ec mbi premtimin tënd me këmbët e besimit, edhe pse ende s'ke asnjë dokument pronësie. Besimi e mat trashëgiminë me hapa dhe jo me letra.
Vargu 18: Altari i tretë — Hebroni
Kapitulli mbyl me nënshkrimin e njohur të Abrahamit: zhvendoset në Hebron, te lisat e Mamrës, dhe ndërtoi aty një altar për Zotin. Tri altarë tashmë: Sikemi, Beteli, Hebroni; dhe asnjë shtëpi guri. Loti po i afrohet çadër pas çadre drejt qytetit të mëkatit; Abrahami po mbjell altar pas altari nëpër vendin e premtimit. Dy jetë, dy gjurmë: njëra drejt Sodomës, tjetra drejt Perëndisë. Në fund të jetës, gjurmët e tua do të tregojnë drejtimin e zemrës sate. Ku po shkon?
Fjalë Kyçe të Tekstit
Ngriti sytë (vargjet 10, 14): Shprehja origjinale Nasa Einayim („të ngresh sytë”) përdoret dy herë në kapitull si pasqyrë qendrore e tregimit. Loti i ngriti vetë për të zgjedhur; Abrahamit ia ngriti Perëndia për të marrë. E njëjta lëvizje fizike, dy botë shpirtërore: syri autonom dhe syri i dorëzuar. Psalmisti e mësoi anën e duhur: „I ngre sytë nga malet; ndihma ime vjen nga Zoti” (Psalmi 121:1–2).
Jemi vëllezër (vargu 8): Fjala origjinale Achim. Vëllezër të afërm — teknikisht ishin xhaxha e nip, por Abrahami zgjedh fjalën më të ngrohtë të mundur. Gjuha e paqes fillon me emërtimin: si e quan tjetrin përcakton si e trajton. Psalmi 133:1 do ta këndojë: „Sa e mirë dhe e këndshme është që vëllezërit të banojnë bashkë në unitet!”
U ndanë (vargjet 9, 11, 14): Folja origjinale Parad: të ndahesh, të veçohesh. Jo çdo ndarje është dështim. Kjo ndarje u bë me paqe, ruajti vëllazërinë dhe hapi rrugën e fjalës së Perëndisë. Ka raste kur largësia e shëndetshme është forma që merr dashuria: më mirë të ndarë në paqe se bashkë në grindje (Veprat 15:39–40).
Si kopshti i Zotit (vargu 10): Krahasimi dytësor i luginës: „si kopshti i Zotit, si vendi i Egjiptit”. Bashkon Edenin dhe Egjiptin në një pamje: parajsa e humbur dhe vendi i kompromisit të fundit. Kështu duket gjithmonë tundimi: promadhon Edenin dhe të çon në Egjipt. Vetëm koha dhe vargu 13 e tregojnë se cili nga të dy ishte në të vërtetë.
Lidhja me Krishtin dhe Dhiatën e Re
Abrahami hoqi dorë nga e drejta e zgjedhjes së parë, dhe pikërisht këtu shkëlqen hija e Atij që erdhi pas tij, i cili edhe pse ishte në trajtë Perëndie, nuk e çmoi si një gjë ku të mbahej fort të qenit i barabartë me Perëndinë, por e zbrazi veten e tij duke marrë trajtë shërbëtori (Filipianëve 2:6–7). Askush nuk ka pasur ndonjëherë të drejtën e zgjedhjes së parë si Biri i Perëndisë, dhe askush nuk ka hequr dorë prej saj si Ai.
Abrahami i la Lotit luginat e Jordanit; Krishti na la neve gjithçka. „I pasur siç ishte, u bë i varfër për ju, që ju të bëheni të pasur” (2 Korintasve 8:9). Dhe modeli i Abrahamit — paqja e paguar me heqje dorë — arrin kulmin tek kryqi, ku Paqebërësi i madh e bëri paqen me anë të gjakut të vet (Kolosianëve 1:20). Prandaj Jezusi i shpall të lumtur paqebërësit dhe u jep titullin më të lartë: „do të quhen birë të Perëndisë” (Mateu 5:9), sepse paqebërja me çmim vetjak është tipari i familjes së Atit.
Dhe premtimi pas ndarjes ka gjithashtu zërin e Krishtit. Atyre që heqin dorë nga diçka për mbretërinë, Jezusi u promëton pikërisht logjikën e Zanafillës 13: „Nuk ka asnjë njeri që të ketë lënë shtëpinë a vëllezërit... për hirin tim dhe për ungjillin, që të mos marrë njëqindfish” (Marku 10:29–30). Loti kapi luginën dhe humbi gjithçka (Zanafilla 19:26, 30). Abrahami lëshoi luginën dhe mori vendin, farën dhe emrin. Në mbretërinë e Perëndisë, dora e hapur mban gjithmonë më shumë se grushti i mbyllur.
Aplikimi për Ne Sot
Kush ka ndarë ndonjëherë tokë a trashëgimi në fshatrat tona e njeh skenën: dy vëllezër, një arë, dhe një mur i ri që ngrihet bashkë me një zemërim që mban mënjanë njëri-tjetrin që zgjat vite. Juristi mund të thotë kush fitoi arën, vetëm Perëndia e di kush humbi vëllanë. Zanafilla 13 na jep rrugën tjetër, dhe këtë mësim:
Paqja në familje vlen më shumë se e drejta jote: Abrahami kishte të drejtën e zgjedhjes dhe e flijoi për vëllazërinë. Në grindjet familjare, trashëgimi, pronë, fjalë, pyetja e besimtarit nuk është „kush ka të drejtë?”, por „kush do ta paguajë çmimin e paqes?”. Zakonisht Perëndia fton më të pjekurin ta paguajë. „Pse nuk lejoni më mirë t'ju bëhet padrejtësi?” (1 Korintasve 6:7).
Kujto se bota po shikon: Kananenjtë banonin në vend. Grindjet tona ndodhin para syve të një bote që na mat Perëndinë me sjelljen tonë. Çdo konflikt i pazgjidhur mes besimtarëve është predikim kundër; çdo paqe e bërë me çmim është dëshmi që bota s'e shpjegon dot (Gjoni 13:35).
Mos e zgjidh vetëm me sy: Lugina dukej si kopshti i Zotit dhe fshihte Sodomën. Kështu vijnë edhe zgjedhjet sot: puna me rrogë të shkëlqyer që të han familjen, lidhja mahnitëse që të largon nga Krishti, qyteti i mundësive pa asnjë kishë. Para çdo zgjedhjeje të madhe pyet: „Çfarë nuk po shohin sytë e mi?” Dhe pyet Atë që sheh gjithçka (Jakobi 1:5).
Ki kujdes drejtimin e çadrës: Loti nuk u zhvendos në Sodomë menjëherë; u afrua deri në Sodomë, pastaj brenda, pastaj tek porta. Kompromisi punon me gradualitet: një program më shumë, një kufi më pak, një „vetëm këtë herë”. Pyet veten: jo „ku jam sot?”, por „nga është drejtuar çadra ime?”, sepse drejtimi i sotëm është adresa ime e nesërme.
Prit fjalën pas ndarjes: Perëndia i foli Abrahamit pasi ky hoqi dorë. Ndoshta po pret të dëgjosh zërin e Perëndisë për të ardhmen, dhe Ai po pret që ti të lëshosh diçka: një të drejtë të mbajtur fort, një grindje të fituar përgjysmë, një luginë që s'të takon. Lëshoje, dhe pastaj ngri sytë. Vendose besimin tënd tek Perëndia.
Konkluzioni
Zanafilla 13 na tregon bekimin që u bë burim grindjeje; madhështinë e plakut që i dha të riut zgjedhjen e parë sepse jemi vëllezër; sytë e Lotit që zgjodhën parajsën në dukje me Sodomën brenda; çadrat që ofrohen ngadalë drejt qytetit të mëkatit; dhe fjalën e Perëndisë që erdhi pas ndarjes, me premtimin e zgjedhur dhe urdhrin e ëmbël „përshkoje vendin”.
Dy palë sy, dy gjunjë, dy fate: syri autonom që kap dhe humbet; syri i dorëzuar që lëshon dhe merr. Mbaj mend këtë varg:
„Të mos ketë mosmarrëveshje midis teje dhe meje, sepse jemi vëllezër.” (Zanafilla 13:8)
Paqja fillon me atë që heq dorë i pari.
Zoti ju bekoftë dhe Zoti ju dhëntë paqe!